Punëtorët e Njësisë Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg që nga 14 qershori (ndërrimi i dytë) nuk pranojnë të hyjnë në minierë. Ditën e njëjtë të gjithë të punësuarve në Trepça Sh.A., i’u janë paguar pagat në vlerë prej 68% të pagës neto për muajin e kaluar maj 2024. Ne si menaxhment jemi zotuar se ditëve në vijim do të procedojmë edhe me pjesën tjetër, në rast se prodhimi nuk ka ngecje. Veprimet e ndërrimit të dytë të datës 14 qershor ishin të pa paralajmëruara. Punëtorët tjerë ditëve në vijim gjithashtu kanë refuzuar të punojnë.
Si asnjëherë më parë, Sindikata e Minatorëve të Trepçës nuk e ka marrë përsipër organizimin, nuk ka Këshill Grevist e as grup të punëtorëve të cilët e marrin përgjegjësinë për mospunë-bojkot.
Komunikimet e menaxhmentit me stafin dhe me personelin në nivele të ndryshme janë realizuar në baza ditore. Takimi i fundit u realizua sot në orët e mëngjesit. Punëtorët janë informuar se ditët e humbura nuk do të kompensohen dhe kjo është humbje edhe për menaxhmentin edhe për punëtorët.
Të gjitha njësitet tjera janë duke punuar me intensitet të shtuar. Menaxhmenti në anën tjetër nuk do të ndalet së vepruari në gjetjen e zgjidhjes edhe për sfidën e jashtëzakonshme të “Stan Tërgut”.
Menaxhmenti për minatorët, minatorët për Trepçën!