Trepça e minatorëve!
Kjo pasuri e artë e Republikës së Kosovës!
T’ia kthejmë Trepçës pasurinë e saj!
“Trepça Sh.A.” është shoqëri aksionare e formuar me Ligjin për Trepçën, e cila veprimtarinë e saj e bazon në legjislacionin në fuqi. Menaxhmenti i tanishëm është duke u angazhuar me seriozitetin maksimal në ringritjen e saj drejt një gjiganti ekonomik. Po punojmë në rishikimin e infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik si parakusht për rivitalizimin e Trepçës si një ndërmarrje me rëndësi të veçantë, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik. Në të njëjtën kohë së bashku me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe zyrat regjionale kadastrale jemi duke siguruar dëshmi për pronësinë e “shoqërisë”. Të gjitha këto prona do t’i kthehen në shfrytëzim ndërmarrjes, me ç’rast disa prej tyre do t’i lëshojmë me qira e disa do t’i përdorim për zhvillimin e kapaciteteve të reja.
Me qëllim të realizimit të këtyre objektivave, në rend të parë kthimin e pronave tek pronari, Menaxhmenti i “Trepça Sh.A.” ka vendosur që t’i drejtohet opinionit publik me një kërkesë:
“Kërkojmë nga të gjitha subjektet juridike dhe fizike, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjitha subjektet tjera që me apo pa dijeni janë duke i shfrytëzuar pronat e paluajtshme të “Trepça Sh.A.”, që në afatin 30 ditor (deri më 10.07.2024) të na kontaktojnë në zyrat tona në objektin e menaxhmentit (Parku industrial në Mitrovicë)”.
Bashkëpunimi i juaj do të na kursen kohën dhe shkurton procedurat gjyqësore deri në realizimin e të drejtës sonë.
Menaxhmenti i “Trepça Sh.A.”
10/6/2024